4 mln vizitorë në zonat e mbrojtura, investimet 2025 për mjedisin nuk u realizuan plotësisht
Rritja e turizmit po shton presionin mbi mjedisin, ndërsa investimet publike për këtë sektor nuk u realizuan plotësisht gjatë vitit 2025.
Të dhënat e buxhetit faktik tregojnë se buxheti fillestar i Ministrisë së Mjedisit për vitin 2025 ishte 2.97 miliardë lekë, por gjatë vitit u rishikua në ulje në 2.31 miliardë lekë. Kjo do të thotë se fondet u pakësuan me 658.3 milionë lekë, ose me 22% krahasuar me planin fillestar.
Në fund të vitit, realizimi faktik ishte rreth 2.14 miliardë lekë, ose 72% e buxhetit fillestar dhe 93% e buxhetit të rishikuar. Pra, realizimi duket më i lartë vetëm pasi buxheti u ul gjatë vitit, ndërsa kundrejt planit fillestar gati një e treta e fondeve nuk u shpenzua.
Kjo situatë merr më shumë peshë në një vit kur zonat natyrore dhe të mbrojtura kanë pasur fluks të lartë vizitorësh. Sipas të dhënave të raportuara në programin “Administrimi i Pyjeve”, rreth 4 milionë turistë kanë hyrë në zonat e mbrojtura, përfshirë Parkun Kombëtar të Dajtit, Parkun Natyror Syri i Kaltër, Kune-Vain-Patok-Fushëkuqe-Ishëm dhe Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Frekuentimi i lartë i këtyre zonave është një tregues pozitiv për turizmin, por njëkohësisht rrit nevojën për administrim, infrastrukturë, monitorim dhe mbrojtje të burimeve natyrore. Sa më shumë vizitorë të ketë në parqe, laguna, plazhe dhe zona të mbrojtura, aq më e madhe bëhet barra mbi institucionet për të kontrolluar ndotjen, dëmtimet, mbetjet dhe përdorimin e territorit.
Në këtë kontekst, investimet mbeten pika më e dobët e buxhetit të Mjedisit. Investimet totale u realizuan në vlerën 865.8 milionë lekë, nga 1.55 miliardë lekë të planifikuara fillimisht. Kjo përbën vetëm 56% të planit fillestar dhe 89% të planit të ndryshuar. Edhe këtu, rishikimi në ulje i fondeve gjatë vitit e përmirëson treguesin formal të realizimit, por krahasuar me planin fillestar hendeku mbetet i madh.
Për investimet publike me financim të brendshëm, realizimi ishte 67.8% e buxhetit fillestar, me vlerë rreth 0.71 miliardë lekë, ose 94.2% e planit të ndryshuar. Ndërsa projektet me financim të huaj patën ecuri më të dobët: realizimi ishte vetëm 25.6% e buxhetit fillestar, me vlerë rreth 0.15 miliardë lekë, ose 69.6% e planit të ndryshuar.
Një nga fushat ku presioni nga turizmi ndihet më drejtpërdrejt është menaxhimi i mbetjeve urbane. Në këtë program, shpenzimet korente u realizuan në 50.9 milionë lekë, ose 91% të planit fillestar dhe 96% të planit të ndryshuar. Por investimet ishin shumë më të ulëta se parashikimi fillestar. Nga 329.7 milionë lekë të planifikuara në fillim të vitit për investime, u shpenzuan 96.3 milionë lekë, ose vetëm 29% e planit fillestar.
Gjatë vitit, plani për investimet në menaxhimin e mbetjeve urbane u ul ndjeshëm, nga 329.7 milionë lekë në 96.9 milionë lekë. Kjo tregon se fondet u përshtatën me ritmin e ulët të zbatimit, në një kohë kur rritja e turizmit shton sasinë e mbetjeve dhe kërkon më shumë kapacitete për grumbullim, trajtim dhe monitorim.
Edhe programi “Programet e mbrojtjes së mjedisit” pati realizim të dobët në investime. Nga 90 milionë lekë të parashikuara fillimisht për investime me financim të brendshëm, plani u ul në 55.2 milionë lekë, ndërsa realizimi faktik ishte vetëm 18.2 milionë lekë. Kjo përbën 20% të planit fillestar dhe 33% të planit të ndryshuar.
Në këtë program, shpenzimet korente u realizuan në 413.7 milionë lekë, ose 87% të planit fillestar dhe 94% të planit të ndryshuar. Gjatë vitit janë raportuar 644 inspektime për parandalimin e përkeqësimit nga shfrytëzimi pa kriter i burimeve ujore, ndotja e ujit, ajrit dhe tokës, me kosto faktike 260 milionë lekë. Gjithashtu janë kryer 3 840 raporte monitorimi për mjedisin, ose 91% e sasisë së planifikuar, me kosto 83.8 milionë lekë.
Në administrimin e pyjeve dhe zonave të mbrojtura, ecuria e investimeve ishte më e mirë. Investimet arritën 599.5 milionë lekë, ose 111% të planit fillestar dhe 99% të planit të ndryshuar. Në këtë program janë raportuar 26 333 monitorime për vlerësimin e biodiversitetit dhe vlerave natyrore në zonat e mbrojtura, me kosto 339.2 milionë lekë. Po ashtu, AKZM ka administruar 80 objekte gjatë vitit, ose 93% të sasisë së planifikuar, me kosto 82.5 milionë lekë.
Disa programe kanë ecur më mirë, por në total buxheti u ul me 22% gjatë vitit dhe investimet u realizuan vetëm 56% ndaj planit fillestar.
Në fushën e mjedisit janë financuar disa projekte, mes tyre hartimi i projektit “Qendra Multifunksionale në Lagunën e Vjosës”, me vlerë 791.7 milionë lekë; ngritja e infrastrukturës turistike me theks te ajo ujore, EKO-PARK Ulza, me vlerë 462 milionë lekë; projekti SANEX Kapitulli 27 – SIDA, me vlerë 169 milionë lekë; si dhe ndërtimi i vend-depozitimit për mbetjet urbane, me vlerë 61 milionë lekë.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)